Shtohen impiantet e energjisë diellore. Kapaciteti total arrin në 21 MW, prodhuan 0.6% të energjisë totale
Të dhënat për prodhimin e energjisë nga dielli mbeten modeste, në raport me energjinë e prodhuar nga burimet ujore, teksa për vitin 2020 sasia e prodhuar nga impinatet fotovoltaike arriti në 0.6% të totalit. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i impanteve që prodhojnë energji nga dielli ka arritur në 11, çka ka sjellë edhe një rritje të prodhimit të energjisë nga ky burim, ndonëse nuk përbëjnë të dhëna domethënë në drejtim të shfrytëzimit të energjisë diellore. 1 prej impianteve të rinj hyri në prodhim në muajin mars, ndërsa 2 të tjerë në muajin nëntor të vitit që lamë pas, duke bërë që kapaciteti i instaluar të arrijë në 21 MW, nga 15 MW, që ishte në vitin 2019. Shifrat e 12-mujorit tregojnë se në total nga centralet diellore u sigurua 32 265 mëh energji, ku periudha maj-qershor regjistroi prodhimin më të lartë, e ndikuar normalisht nga rrezatimi diellor. Megjithatë, ndonëse kjo sasi është tejet e ulët në raport me atë të prodhuar nga hidrecentralet, ajo merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Kjo pasi, vendi ynë është i varur nga energjia e prodhuar nga uji, çka në periudha thatësiras pasohet me fatura tejete të kripura të importit të energjisë për plotësimin e nevojave konsumatore. Kështu, gjatë vitit 2020 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektike shpenzuar rreth 118 mln euro për blerjen e energjisë. Ndërkaq, ajo që pritet të sjellë një impakt të madh në këtë drejtim është pikërisht ndërtimi i parkut fotovoltaik të Karavastasë dhe ai i Spitallës, që në total do të kenë me një fuqi të instaluar prej 240 MW.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.