Si do sigurohet vaksina anti-Covid? – Rezervimi i dozave nga qeveria shqiptare, deri tani vetëm deklarata
Teksa shumë shtete në botë kanë bërë rezervimin për vaksinën anti Covid dhe kanë ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim, qeveria shqiptare mbetet ende në nivel deklaratash, duke lënë të paqartë hapat që po ndiqen. Fillimisht ishte shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, e cila gjatë një aktiviteti ku shoqëronte ministren e Shëndetëisië, Ogerta Manastirliu bëri me dije alternativat që po shqyrtohen nga vendi ynë.
Deklaratat u pasuan nga kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një aktiviteti me mjekët dhe infermierët e spitalit infektiv deklaroi se është bërë edhe rezevrimi, në momentin që vaksina do të dalë.
Megjithatë, deri më tani qeveria nuk ka bërë publike se çfarë negociatash ka zhvilluar apo po zhvillon, ndonëse shifrat e të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë mbeten të larta. Ndërkohë që, nëse i referohemi vendeve fqinje, sikurse është Kosova tashmë është bërë e ditur se janë mbi 300 mijë doza që ky shtet i ka siguruar përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe asociacionit GAVI.
Sipas zyrtarëve të OBSH-së, Kosovës i është garantuar se në momentin që një vaksinë del në përdorim, Kosova do të ketë vaksina falas për 20 % të popullsisë. Ndërkohë që, edhe Maqedonia e Veirut ka deklaruar se tashmë është nënshkruar letra e qëllimeve për mekanizimin KOVAKS, ndërsa paralelisht i është drejtuar me një letër edhe qeverisë polake, duke qenë se vendet anëtare të BE-së kanë të drejtë të shesin vaksinën.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.