Si do të evadohen 35 mijë dosjet? – KLGJ, strategji për uljen e stokut të Gjykatës së Lartë: Do rekrutohet staf mbështetës juristësh të jashtëm
Këshilli i Lartë Gjyqësor do të rekrutojë juristë nga jashtë për të shkarkuar stokun e madh prej afërisht 35 mijë dosje të akumuluara në Gjykatën e Lartë. Propozimi ka ardhur nga një grup pune i ngritur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për këtë qëllim.
Ky grup pune së fundmi i propozoi KLGJ-së miratimin e një Memorandum mirëkuptimi për uljen e numri të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, sipas rekomandimeve të Projektit “Drejtësi për të gjithë” – USAID61 (miratuar me vendimin nr. 131, datë 30.03.2020). Ndër kontributet më të rëndësishme që Memorandumi ofron në zgjidhjen e situatës së krijuar në Gjykatën e Lartë, është rekrutimi i një stafi mbështetës juristësh të cilët do të ndihmojnë administratën e kësaj gjykate për të trajtuar me shpejtësi çështjet e stokut të mbetura në gjykatë.
Sipas të dhënave zyrtare të Këshilli të Lartë Gjyqësor, në fund të vitit 2017 numri i çështjeve të mbartura raportohet të ishte 22 000, ndërsa në fund të vitit 2018 ky numër ishte rritur me 6657 çështje duke mbërritur në 28 657 dosje të pa trajtuara. Në mes të vitit 2019, kur kjo gjykatë mbeti me një anëtar nga 19 të parashikuar në organigramën e saj, numri i dosjeve në pritje për t’u gjykuar raportohet të jetë 34311 ose 5654 çështje më shumë se viti 2018.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.