Si mund të përmirësojë teknologjia e Formula 1 transportin publik
Kompania McLaren po kërkon të aplikojë teknologjinë e Formula 1 në metrotë e Singaporit. Shefja operative e kompanisë, Celia Gaffney tha se operatori i transportit publik në Singapor SMRT mund të përfitojë nga ekspertiza e McLaren.
“Ne po përshtasim disa nga regjistruesit dhe sensorët që përdorim në F1, duke parë se si mund t’i vendosim ato në pjesë të flotës së trenit SMRT dhe pastaj marrim këto të dhëna, duke i nxitur dhe ndihmuar që të parashikojnë kohën kur mund të kenë probleme”, tha Gaffney.
Sipas Graffney, kjo do të thotë se trenat kanë më pak gjasa të vonohen apo të kenë probleme pa e ditur, duke shtuar më tej se projekti ka potencial të zbatohet në të gjithë Azinë.
McLaren është gjithashtu duke bërë përparime në teknologjinë shëndetësore, tha ajo.
“Ne jemi duke parë se si mund të mbledhim të dhëna për pacientët, duke u lehtësuar mjekëve rrugën për diagnostikimin dhe mjekimin e tyre në mënyrë që të personalizojnë ndihmën mjekësore për secilin prej pacientëve”, u shpreh Gaffney.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.