Si shpenzuan bashkitë nën “presionin” e COVID – Gjashtë mujori/Rënie me 23%, u sakrifikuan punët publike
Në gjysmën e parë të vitit, shpenzimet e kryera me fonde të veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 22.3 miliardë lekë, në rënie me rreth 23.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Referuar raportit të Financave Vendore, të hartuar nga CoPLAN, rënia e shpenzimeve totale gjatë kësaj periudhe u përcaktua gjerësisht nga ngushtimi i shpenzimeve kapitale. Në periudhën në analizë, shpenzimet kapitale me fonde të veta shënuan një nivel prej rreth 4.4 miliardë lekë, në rënie vjetore me rreth 55.9%.
Referuar raportit, kufizimi i shpenzimeve për investime duket të pasqyrojë drejtpërdrejt ngushtimin në nivelin e të ardhurave dhe sugjeron për një lloj “prioritarizimi” të shpenzimeve në nivel vendor. Në të njëjtin drejtim edhe pse në masë më të vogël kontribuoi edhe ngushtimi i shpenzimeve korrente të cilat regjistruan një nivel prej rreth 17.8 miliardë lekë, në rënie me rreth 6.3% në terma vjetorë.
Ndër përbërësit e shpenzimeve korrente, shpenzimet për personelin (paga dhe sigurime) shënuan një vlerë prej rreth 11 miliardë lekë gjatë periudhës së konsideruar, në rritje me rreth 2.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Rritja e shpenzimeve në këtë kategori deri diku vlerësohet të pasqyrojë shpenzime të shtuara si pasojë e situatës së 0emergjencës së COVID-19, si për shtimin e shërbimeve të dezinfektimit të hapësirave publike, godinave etj.).
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.