Sigurimet e shëndetit, minimale – Në total, vetëm 10 milionë dollarë në 2021, rritje e lehtë e portofolit të jetës
Tregu i sigurimit të shëndetit për vitin 2021 mbeti në nivele mjaft të ulëta pavarësisht se po bëhen dy vjet nga shpërthimi i pandemisë Covid 19. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, totali I arkëtimeve nga kompanitë e sigurimeve në vend nuk i ka kaluar 10 milionë dollarët. Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-nëntor 2021, arritën në rreth 1 miliardë lekë, gjithsesi duke shënuar një rritje prej 14.52% në krahasim me periudhën janar-nëntor 2020, thekson Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në raportin për këtë periudhë.
Njëfarë rritje më domethënëse ka shënuar portofoli I sigurimit të jetës. AMF raporton se primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2021, arritën rreth 1,2 miliardë lekë, rreth 12 milionë dollarë ose 24.17% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pavarësisht Pandemisë Covid 19, Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.69% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.16%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.51% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.49% të totalit të tregut.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-nëntor 2021 kapën vlerën 17, miliardë lekëve, ose 17.59% më shumë se në janar-nëntor 2020. Gjatë periudhës janar-nëntor 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,055,799 me një rritje prej 23.12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.