S&P paralajmëron Britaninë – “Brexit pa marrëveshje do të sjellë recesion dhe zhvlerësojë kreditin”
Agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s, bëri të ditur se shanset e mos arritjes së një marrëveshjeje për Brexit janë shtuar dhe paralajmëroi se një rezultat i tillë do të nxisë krijimin e një recesioni, që do të sjellë përkeqësimin e profilit të kreditit për Britaninë.
Pavarësisht se skenari bazë i agjencisë është arritja e një dakordësie mbi periudhën e tranzicionit, rreziku i daljes së Britanisë pa marrëveshje është rritur mjaftueshëm për të marrë në konsideratë zhvlerësimin e kreditit. Sipas agjencisë, kjo reflekton paaftësinë për të rënë dakord për kufirin me Irlandën e Veriut.
“Brexit pa marrëveshje do të shkaktojë një recesion që do të zgjasë 4-5 tremujorë”, paralajmëroi S&P. Sipas agjencisë, ekonomia do të tkurret me 1.2% në 2019 dhe 1.5% në 2020, e më pas do të rikthehet në rritje. Tregu i punës do të pësonte një goditje dhe norma e papunësisë do të rritej nga 4% në 7%.
Çmimet e shtëpive do të binin me 10% për 2 vite ndërsa inflacioni do të rritej në 4.7%, sipas Standard & Poor’s. Agjencia paralajmëroi se vlerësimi prej AA i Britanisë ka gjasa të reduktohet. Vendi humbi vlerësimin më të lartë prej AAA pas referendumit të 2016-ës. Negociatorët e Brexit kanë ngecur në çështjen e kufirit me Irlandën e Veriut, ndërkohë që Theresa May, përballet gjithashtu me kundërshtim në parlament.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.