“S&P” vlerëson Spanjën – E rrit në “A-” prej fuqizimit ekonomik dhe reduktimit të deficitit buxhetor
Standard & Poor’s ka rritur vlerësimin e kreditit të Spanjës me një notë në A-, duke theksuar rritjen e fortë ekonomike që pritet të kalojë mesataren e Eurozonës dhe reduktimin e deficitit buxhetor.
Ekonomia spanjolle është rimëkëmbur nga kriza e tregut të pronave që solli shpëtimin shtetëror të bankave në vitin 2012 dhe ka treguar rritje për 18 tremujorë radhazi.
Banka e Spanjës rriti projeksionet për ekonominë këtë javë dhe Kryeministri Mariano Rajoy tha se vendi ka arritur objektivin e deficitit në 2017-ën, të rënë dakord me Bashkimin Europian.
S&P, që ka patur një vlerësim prej BBB+ për Spanjën, mbajti gjithashtu një perspektivë pozitive për vendin, gjë që nënkupton se mund të rrisë përsëri notën e vendit në vitet e ardhshme.
“Një rritje tjetër mund të vijë nëse Qeveria arrin një konsolidim më të mirë të financave publike”, deklaroi agjencia, duke shtuar se reduktimi i tensioneve politike me Katalonjën do të ndihmojë gjithashtu.
Kjo lëvizje vjen pas rritjes së notës nga Fitch Ratings gjithashtu në A-, me perspektivë pozitive. Moody’s që ka një vlerësim prej Baa2, do të publikojë vendimin për Spanjën më datë 13 Prill.
Banka e Spanjës projektoi një rritje prej 2.7% në 2018-ën, sipër projeksioneve të mëparshme prej 2.4%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.