Spanja, Italia, Franca regjistrojnë numrin më të ulët të viktimave ditore në mbi një muaj!
Numri i njerëzve që vdesin nga COVID-19 ka rënë në nivelin e tij më të ulët brenda një muaji në tre vendet europiane më të prekura nga pandemia, tregojnë shifrat zyrtare. Autoritetet italiane thanë të Dielën se 260 njerëz ju nënshtruan sëmundjes gjatë 24 orëve të mëparshme – rritja më e ulët ditore që nga 14 Marsi.
Në Francë, numri i të vdekurve të përditshëm ishte 242 të Dielën, një nivel që nuk vërehej që nga fillimi i marsit, ndërsa në Spanjë, numri i viktimave ra në 288, shifra më e ulët që nga 20 Marsi dhe një rënie e mprehtë nga 378 e regjistruar të Shtunën. Këto shifra vijnë në një moment kur vendi hoqi disa kufizime të tjera, duke i lejuar fëmijët të largohen nga shtëpia e tyre për herë të parë në gjashtë javë.
Më shumë se 23,000 njerëz tani kanë humbur jetën prej pandemisë në Spanjë, niveli i tretë më i lartë në botë pas SHBA dhe Italisë.
Por autoritetet, të cilët besojnë se më e keqja ka mbaruar, kanë ndërmarrë hapa për të lehtësuar një prej bllokimeve më të ashpra në botë të imponuar në 14 Mars. Nga sot 26 Prilli, fëmijët nën moshën 14 vjeç lejohen të dalin një herë në ditë për një orë ndërmjet orës 9 të mëngjesit dhe 9 të pasdites me kohën lokale, të shoqëruar nga një prind, dhe jo më larg se një kilometër nga shtëpia e tyre.
Të gjithë Spanjollët do të lejohen të stërviten dhe të bëjnë shëtitje nga fundjava tjetër, tha të Shtunën Kryeministri Pedro Sanchez. Qeveria do të zbulojë të martën planin e saj të daljes nga bllokimi që ka të ngjarë të vihet në veprim në gjysmën e dytë të majit, shtoi ai. (Euronews)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.