Strategjia e BE për zgjerimin – Basha: Radiografi e trishtuar e realitetit, bën thirrje për ndryshime
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideron strategjisë e BE-së për zgjerimin si një radiografi e trishtuar e realitetit shqiptar. Përmes një statusi në rrjetin social ‘Facebook’ kreu i opozitës ka përshëndetur këtë dokument, që sipas tij thekson domosdoshmërinë për ndryshime, me qëllim hapjen e negociatave për anëtarësimin.
“Ky raport është një radiografi e trishtuar e realitetit shqiptar dhe disa vendeve të tjera të Ballkanit. Raporti flet qartë dhe më forcë për kapjen e shtetit nga interesat private dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes, për probleme të rënda dhe serioze të korrupsionit, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias, për ekonomi jokonkuruese që duhet të reformohet thellësisht, për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për shtypjen e rolit të opozitës politike. Strategjia bën thirrje për ndryshime dhe transformime të vërteta demokratike për daljen nga ky realitet dhe thekson se procesi i integrimit nuk është proces mekanik por proces përqafimi real të vlerave dhe standardeve politike dhe ekonomike europiane.”
Ndër të tjera, Basha thekson vullnetin e Partisë Demokratike për të ndryshuar politikën dhe ekonominë shqiptare duke përqafuar standardet dhe vlerat europiane, me qëllim futjen e Shqipërisë në BE brenda një dekade.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.