Subvencion 20 lekë/kg për peshkun – Kristo: Mbështetje për 2 mijë ton prodhim, efekte direkte në ekonomi
Qeveria do të mbështesë sektorin e peshkimit në vend me qëllim zhvillimin e tij dhe rritjen e investimeve. Në një intervistë për TV SCAN, zv.Ministi I Bujqësisë, Roland Kristo bën me dije se përmes Skemave Kombëtare, është parashikuar subvencion në masën 20 lekë për kilogram, për peshqit e vegjël, sardele dhe açuge.
“Çfarë parashikojmë ne? Ne do të vazhdojmë natyrisht politikat mbështetëse. E para, në kuadër të AZHBR-së është parashikuar një nismë për mbështetjen për 20 lekë/kg për peshkimin e peshqve të vegjël, sardele dhe açuge. Kjo e lidhur me atë produkt i cili shitet te stabilimentet e produktit të peshkut. Pra nuk kemi për qëllim që të ulet vlera e këtij produkti në treg por kemi për qëllim që ky produkt të shkojë në industrinë përpunuese, të përpunohet, t’i rritet vlera dhe natyrisht do sjelli dhe një rritje të mëtejshme të punësimit”, shprehet Kristo.
Sipas tij kjo politikë do të japë efekte direkte në punësim si dhe do të rrisë ndjeshëm vlerën e prodhimit.
“Në bazë të disa llogaritjeve që ne kemi bërë për atë sasi që parashikohet rreth 2000 ton që do të mbështetet me 20 lekë do të përkthehet me rreth 200-250 të punësuar direkt shtesë në sektorin e industrisë përpunuese. Natyrisht dhe me një rritje të vlerës së prodhimit. Nga 4 euro që bën lënda e parë në rreth 11 deri në 13 euro produkti final. E gjithë kjo pjesë vlerë e shtuar qëndron në Shqipëri që të paguhen rrogat e punëtorëve, sigurimet shoqërore, energji elektrike pra gjithë shpenzimet operative dhe fitimin e kompanisë. E gjithë kjo vlerë e shtuar që do të qëndrojë në Shqipëri”, tha ai.
Sektori i peshkimit është regjistruar me rritje të eksporteve gjatë vitit që lamë pas në rreth 30 për qind, për shkak të investimeve në sektor dhe formalizmit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.