Takimi i radhës “Open Balkan” në Beograd – Rama: Kompanitë dhe fermerët duhet të jenë përfituesit e vërtetë të kësaj iniciative
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha në konferencën e mbajtur në Beograd se njerëzit, kompanitë dhe fermerët duhet të jenë përfituesit e vëretë të ballkanit të hapur, pasi janë ata që vuajnë më shumë problemet kufitare. Liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, kanë zhvilluar konferencën pas takimit në kuadër të nismës së përbashkët rajonale “Open Ballkan”. Kryeministri Rama tha se njerëzit që mbështesin Open Ballkan, kërkojnë që çdo gjë që nënshkruhet, të kthehet në realitet të prekshëm në kufij.
Takimi i radhës e gjeti nismën e Ballkanit të Hapur pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Zoran Zaev u zëvendësua nga zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, pasi dha dorëheqjen pak ditë më parë, duke ndjekur humbjen e thellë në zgjedhje. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic tha se është arritur një dakordësi për bashkëpunim të mëtejshëm që njerëzit të lëvizin pa asnjë lloj kufiri nga Beogradi në Tiranë, Beogradi në Shkup apo kudo tjetër dhe se askush nuk duhet të ndalojë në kufij. Vuçiç shtoi se do nënshkruhet një marrëveshje për lejet e punës, sepse njerëzit duhet të punojnë lirshëm në rajon, pasi në të kundërt, do të ketë më shumë punëtorë të huaj që do të zënë vendet.
Presidenti Vuçic tha gjatë konferencës në Beograd se samiti i radhës do të zhvillohet në Tiranë në fund të muajit Dhjetor.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.