Taksa progresive “i zbardh faqen” qeverisë – 200 milion dollarë në buxhet, tatimi mbi pagat e larta rritje me 352%, mbi dividentin rritje 146%
Personat me të ardhura të larta, të dypunësuarit, si dhe aksionerët e kompanive që përfitojnë dividend, ose shkurt subjektet e taksës progressive, kanë qenë një prej kategorive kryesore përgjegjëse për “shkëlqimin” e tatimeve për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Kjo kategori ka derdhur në buxhetin e shtetit thuasje 200 milionë dollarë për periudhën janar korrik 2020.
Sipas të dhënave zyrtare të sapopublikuara nga Ministria e Financave, Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 19.3 miliardë lekë, diccka më pak se 200 milionë dollarë në total. Kjo shifër është 3.4 miliardë lekë ose 21.6% më shumë se 6 mujori 2020, si dhe 130 milionë ose 0.7% më shumë se plani 6 mujori 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë patur: së pari, të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 352% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020; të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet me rritje 146% krahasuar me 6 mujorin e vitit 2020;
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 6 mujorin 2021 u realizuan në masën 118.2 miliardë lekë, 15.6 miliardë ose 15.2% më shumë se 6 mujori i vitit të kaluar, si dhe 1.3 miliardë lekë, ose 1.1% më shumë se plani i 6 mujorit 2021.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.