Task Forcë në Himarë – Çuçi: Jo tolerime për shkeljen e ligjit. Reagime ndaj denoncimeve të pushuesve
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi zhvilloi një takim në Himarë me Task Forcën për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Sipas njoftimit, ai kërkoi një koordinim më të mirë të punës mes të gjitha institucioneve në mënyrë që sezoni turistik të mos ketë probleme. Në mënyrë të veçantë u ngrit shqetësimi i zaptimit të plazheve nga subjekte private. Çuçi kërkoi ndërhyrje të menjëhershme që fenomeni në fjalë të frenohet. Ai tha gjithashtu, se duhen monitoruar në mënyrë rigoroze edhe subjektet që kanë marrë leje për shfrytëzimin e plazheve.
“Të gjithë ata që kanë dalë nga leja. Nuk ka as paralajmërim fare. I merret leja dhe nuk i jepet më. Ka filluar një fenomen i ri që nuk e kemi pasur më parë. Ngritja e kampingjeve në plazh. Është gjëja që në mënyrë kategorike duhet ndaluar. Për kampingje ka vende të caktuara sepse duhet të ketë disa kushte minimale”, -tha ministri Çuçi.
Niveli i lartë i zhurmës, është një tjetër çështje që ka dalë si shqetësim nga pushuesit në zonën e Himarës.
“Edhe gjatë ditës duhet bërë një lloj disiplinimi se është ndotje e tmerrshme akustike. Ka norma edhe gjatë ditës se sa duhet të jetë zhurma. Reagimi ndaj telefonatave të qytetarëve duhet të jetë i padiskutueshëm”, -tha Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndërsa për sa i përket sigurisë ushqimore, Çuçi kërkoi nga inspektorët e AKU-së që t’i përmbahen planeve të tyre të inspektimit, të mos abuzojnë me detyrën duke rënduar padrejtësisht operatorët e biznesit ushqimor, njëkohësisht të mos tolerojnë askënd që rrezikon shëndetin e konsumatorëve.
E pranishme në takim ishte edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj pasi ata koordinojnë Task Forcën për sezonin turistik në bashkitë Sarandë dhe Himarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.