Të ardhura nga aktiviteti kriminal – Policia sekuestron 500 mijë dollarë pasuri
Policia e Shtetit bën me dije se nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Plantacioni”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, datë 25.05.2021, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetasit V. D., 31 vjeç, i cili aktualisht është i arrestuar në Angli, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
Sipas njoftimit ky shtetas është arrestuar në Angli, në një plantacion bimësh kanabisi, të cilën e prodhonte në sera dhe pastaj e tregtonte duke arritur fitime të mëdha ndërsa pas ndalimit, gjatë kontrollit në banesë i është gjetur dhe sekuestruar shuma 363.000 paund britanik.
Policia njofton se në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 500.000 dollarë, konkretisht:
- Një njësi tregtare;
- Dy apartamente;
- 1 garazh.
Gjithashtu sipas njoftimit nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.