Themeluesi i fondacionit të Bitcoin: Kriptovalutat nuk janë flluska, bitcoin është gjilpëra që do të shpojë flluskën
Një prej drejtuesve të Fondacionit të Bitcoin, Jon Matonis, ka folur kundër frikës se tregu i kriptovalutave është në një flluskë, duke thënë se flluska e vërtetë janë tregjet e bonove dhe aksioneve në të gjithë botën që po fryhen artificialisht prej bankave qendrore.
Bitcoin arriti vlerën e 20 mijë dollarëve për monedhë gjatë muajve të fundit të 2017-ës, por prej atëherë ka rënë në rreth 7 mijë dollarë, duke i bërë skeptikët të argumentojnë se kriptovalutat janë një flluskë që po shpërthen.
“Për njerëzit që thonë se bitcoin është një flluskë, unë u them se bitcoin është gjilpëra që do ta shpojë flluskën. Kjo flluskë janë tregjet e çmendura të bonove dhe aksioneve të cilat fryehn nga bankat qendrore. Ato janë flluskat”, tha Matonis për Business Insider.
Matonis më herët ka punuar për bankën japoneze Sumitomo dhe Visa, para se të ngrinte fondacionin e bitcoin në vitin 2012. Kjo organizatë jofitimprurëse ndihmon duke kompensuar financiarisht zhvilluesit kryesorë të protokollit të bitcoin.
Ai beson se kriptovalutat e decentralizuara si bitcoin do të sjellin ndryshimin. Pavarësishst skepticizmit të tij për sistemin ekzistues financuar, Matonis e quan një gjë të mrekullueshme faktin që banka të mëdha si Goldman Sachs po konsiderojnë të hyjnë në botën e kriptovalutave.
“Mendoj se është përrallore që po futen, sepse do të sjellin likuiditet të ri dhe eksperiencë në treg për të reduktuar rrezikshmërinë. Ata do të zhvillojnë tregje obligacionesh dhe madje mendoj se do të fillojmë të shohim norma interesi për tregjet me bitcoin”, u shpreh Matonis duke shtuar se në të ardhmen mund të dëgjojmë për terma si Bibor, indeksi i normave të interesit për bitcoin.
Matonis nuk beson se kriptovalutat duhen rregulluar dhe e shpjegon konfuzionin e rregullatorëve në Europë dhe Amerikën e Veriut me faktin se nuk janë mësuar me modele të tilla që nuk parashikojnë shitjen e borxhit apo shitjen e kapitalit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.