Tkurret tregtia e jashtme – INSTAT: Transporti ajror ra me 23.4%, rënie më e lehtë për transportin detar
Situata e krijuar nga COVID-19 ka sjellë një rënie të ndjeshme të tregtisë së jashtme të mallrave për muajin shkurt të këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave volumi i mallrave të transportuar me ajër u ul me 30,7%, në krahasim me shkurtin e vitit të kaluar, ndërkohë që për 2-mujorin e parë të vitit tkurrja regjistrohet në 23.4%.
Rënie ka pësuar edhe volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë, me 7.7% për shkurtin dhe 10.7% për 2-mujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia më e lehtë është shënuar në transportin e mallrave me det, e cila fiksohet në -4.4% për shkurtin, teksa për 2-mujorin regjistrohen vlera pozitive me një rritje prej 3%. Ndërkaq, sa i takon pasagjerëve gjithashtu regjistrohet një rënie e ndjeshme për transportin detar dhe atë ajror. Sipas INSTAT, në dymujorin e vitit 2021, kanë udhëtuar me linjë detare 62.248 pasagjerë, duke u ulur me 43,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në muajin Shkurt, transporti ajror i pasagjerëve zë 74,8% të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në Shkurt është 71.347 pasagjerë, duke u ulur me 63,2%, krahasuar me Shkurtin e vitit 2020. Rënia për 2- mujorin regjistrohet në 63.9% në krahasim me periudhën janar-shkurt 2020, ndërkohë që ndryshe paraqitet situate në transportin hekurudhor të pasagjerëve, që ka pësuar një rritje të ndjeshme, ndonëse mbetet të nivele tejet modeste, në raport me transportin detar dhe atë ajror.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.