Trafikimi i qenieve njerëzore – Xhafaj: Plan të ri veprimi, tolerancë zero dhe luftë agresive
Tolerancë zero ndaj fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore. Kështu është shprehur Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë konferencës kombëtare kundër trafikimit të personave, duke premtuar një luftë agresive të shtetit dhe policisë në planin e ri të veprimit në 4 vitet e ardhshme. Xhafaj kërkoi të ngrihet zëri ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.
“Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit do të vazhdojnë të jenë përherë kërkues dhe me tolerancë zero ndaj kësaj plage e cila mbart në vetvete një potencial pasojash shkatërruese për jetën e individit dhe të shoqërisë në tërësi. Të gjithë flasim për trafikun dhe trafikantët, por harrojmë të ngremë zërin dhe të kërkojmë llogari për njerëzit e drejtësisë, për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, që për vite kanë ridënuar apo rivrarë për t’i shpëtuar burgun lloj lloj trafikantëve, që sot shëtisin lirshëm, pasi kanë fituar imunitetin prej drejtësisë së korruptuar”, tha Xhafaj.
Të pranishëm në konferencë, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin dhe ai i OSBE, Bern Borchardt, ofruan mbështetjen e tyre nëpërmjet programeve të asistencës. Ata i kërkuan qeverisë intensifikimin e përpjekjeve për të goditur krimin duke theksuar se nuk mjaftojnë vetëm fondet për ta luftuar fenomenin.
“Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për parandalimin e këtij krimi. Nuk mjafton thjesht fonde për shërbimet, për viktimat, siç tha Ministri Xhafaj. Të jemi të qartë e të ndershëm kur themi që numri i dënimeve në lidhje me këtë krim, trafikimin e qenieve njerëzore, është thjesht tejet i ulët”, tha Vlahutin.
“Dy vitet e fundit mbi 500 raste të fëmijëve në situatë rruge janë menaxhuar, por shumë pak trafikantë dhe shfrytëzues kanë përfunduar në burg”, u shpreh Borchardt.
Pas konferencës, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi çështjen e dosjes “Habilaj”, duke thënë se ajo i përket drejtësisë italiane, ndërsa i pyetur për kanabizimin e vendit, Xhafaj tregoi angazhimin si ministër në këtë çështje.
“Ajo është një çështje që nuk i përket policisë së shtetit. Është një çështje që i përket drejtësisë, është iniciuar dhe vazhdohet nga drejtësia italiane”, tha Ministri i Brendshëm.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.