Transfertat bankare – Pagesat elektronike po rriten me ritme të shpejta
Shqiptarët po përdorin gjithnjë e më shumë teknologjinë në transfertat bankare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë që, ndonëse pagesat nga sportelet e bankave vazhdojnë të dominojnë, numri i tyre është në rënie, ndërsa pagesat elektronike përmes kanaleve alternative, si internet banking apo mobile banking po zgjerohen me ritme të shpejta. Për vitin 2018, u kryen afërsisht 8.6 milionë transferta krediti nga sistemi bankar. 66% e tyre ishin transferta në formë letër, të kryera përmes sporteleve të bankave. Por, numri i këtyre transfertave pësoi rënie krahasuar me vitin 2017, me 3.6% më pak.
Nga ana tjetër, transfertat e kryera nga jashtë bankës, përmes kanaleve elektronike, u rritën ndjeshëm. Vitin e kaluar, klientët e bankave ekzekutuan 2.9 milionë pagesa të këtij lloji, në rritje me 29% krahasuar me vitin 2017. Në pjesën dërrmuese, këto konsistojnë në pagesa të kryera përmes internet banking apo mobile banking. Rritja e përdorimit të këtyre shërbimeve po udhëhiqet sidomos nga bizneset, por ecuria është pozitive edhe mes individëve, sidomos në shërbimin e mobile banking. Shumica e bankave tregtare i kanë sofistikuar dhe modernizuar shërbimet e pagesave elektronike, çka ka nxitur një përdorim në rritje të tyre nga publiku.
Pagesat elektronike janë më komode, kërkojnë më pak kohë, madje në disa raste kanë edhe kosto më të ulëta krahasuar me transfertat që kryhen përmes sporteleve të bankave. Sidomos bizneset, që kanë një organizim më të mirë dhe kulturë financiare më të zhvilluar, po i asimilojnë më shpejt këto avantazhe. Sidoqoftë, tendencat janë pozitive edhe tek individët. Vitin e kaluar, klientët individë kryen mbi 1 milionë pagesa nga interneti dhe telefoni celular, në rritje me 2.5% krahasuar me një vit më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i llogarive të individëve rezidentë, të lidhura me internetin, në fund të vitit 2018 arriti në rreth 332 mijë.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.