Tregtia e mallrave, Shqipëria suficit vetëm në tekstile e këpucë – Pritet kthesa në dy grupe të tjera
Gjatë katër muajve të parë të këtij viti, deficiti tregtar i Shqipërisë, ose raporti midis importeve dhe eksporteve, ishte rreth 97 miliardë lekë. Vlera e mallrave të importuar është gati sa dyfishi i eksporteve në drejtim të partnerëve tregtarë, megjithatë situata paraqitet ndryshe në varësi të grupmallrave.
Kështu, për grupin e “tekstileve dhe këpucëve”, Shqipëria eksportoi në periudhën Janar-Prill 41.4 miliardë lekë mallra dhe importoi vetëm 27.9 miliardë lekë mallra. Kjo përkthehet në një bilanc pozitiv prej 13.4 miliardë lekësh, falë rezultatit të industrisë fasone të tekstileve në vend.
Kjo është edhe kategoria e vetme ku Shqipëria paraqitet me suficit për 4 muajt e parë të vitit, megjithatë ka një prirje për të përmbysur raportet edhe në dy grupmallra të tjerë.
Gjatë muajit Prill, eksportet në grupin “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” u rritën në 6.2 miliardë lekë, ndërkohë që importet për këtë kategori kapnin vlerën e 5.2 miliardë lekëve, çka përkthehet në një suficit prej 1 miliardë lekësh vetëm për këto mallra.
Nëse kjo ecuri pozitive, sidomos e eksporteve të mineraleve dhe sektorit të energjisë, do të vijojë edhe muajt në vijim, me shumë gjasa do të ketë një rikthim në suficit për këtë kategori mallrash. Aktualisht, raporti fiksohet në 19.8 miliardë lekë eksporte dhe 20.9 miliardë lekë importe, pra në një suficit prej vetëm 1 miliardë lekësh.
Një kthesë pritet edhe në grupin “Materiale ndërtimi dhe metale”, ku nga muaji në muaj rriten vlerat e eksporteve dhe ulen nevojat për import. Për katërmujorin, deficiti në këtë kategori mallrash llogaritet në 5.6 miliardë lekë.
Ndërkohë, kategoritë ku suficiti tregtar është më i thellë janë “Produkte kimike dhe plastike” me rreth 26 miliardë lekë diferencë negative dhe në grupin “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me një suficit prej 39 miliardë lekësh.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.