Tregu bankar – Rriten bankat vendase dhe ato “autonome”
Viti 2017 po konfirmon tendencën e rritjes së peshës së bankave lokale në tregun bankar shqiptar. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se shumica e bankave që i takojnë grupeve bankare të huaja kanë vazhduar të humbasin pjesë tregu.
Në rritje janë kryesisht bankat me më shumë autonomi në vendimmarrje dhe më pak kufizime nga bankat mëmë jashtë vendit. Statistikat tregojnë se Banka Kombëtare Tregtare dhe Credins kanë zgjeruar më shumë pjesën e tyre të tregut gjatë këtij viti.
Në fund të qershorit, BKT zotëronte afro 27% të totalit të aktiveve, ndërsa Credins pothuajse 12%. Në pesë vitet e fundit, BKT e ka zgjeruar pjesën e tregut me 9 pikë përqindjeje, ndërsa Credins me katër pikë.
Ndër bankat e tjera që po rriten me ritme të qëndrueshme në dy vitet e fundit janë Union Bank, që tashmë mban mbi 3% të tregut dhe Banka Amerikane e Investimeve, që ka arritur në 2.7%.
Në rënie të dukshme është pjesa e tregut e Raiffeisen Bank dhe Tirana Bank. Raiffeisen tashmë ka zbritur në më pak se 18% të tregut, duke humbur mbi dy pikë përqindjeje brenda një viti.
Edhe Tirana Bank ka vazhduar të humbasë terren, me një pjesë tregu që tashmë ka arritur në 5.6%. Dy bankat e tjera greke, Alpha dhe NBG kanë ruajtur një pjesë tregu pothuajse të pandryshuar krahasuar me një vit më parë, megjithatë, është e qartë se tashmë këto banka kanë hequr dorë nga strategjitë e rritjes agresive.
Kjo është një politikë e vendosur nga grupet bankare mëmë, që kanë si qëllim të zvogëlojnë përmasat e aktivitetit në tregjet e Europës Juglindore. Ndër të paktat grupe bankare ndërkombëtare që po rritet në tregun shqiptar është Societe Generale.
Kjo bankë tashmë i është afruar pragut të 6% të tregut dhe është banka e pestë më e madhe në tregun shqiptar. Intesa Sanpaolo, pas disa vitesh e tërhequr, i është kthyer rritjes, por me ritme të ngadalta dhe mban rreth 11.2% të tregut.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.