Tregu i medikamenteve – Shqipëria importoi për vitin 2017 mbi 22.7 mld lekë barna
Tregu i medikamenteve për vitin 2017 ishte në vlerën e mbi 22.7 miliardë lekë. Burime zyrtare konfirmojë për televizionin SCAN se gjatë vitit që lamë pas është importuar kjo shifër financiare për medikamente dhe preparate.
Të dy këto zëra të shënuar respektivisht me kodin 3003 dhe 3004 në dokumentet zyrtarë shënojnë edhe vlerën financiare të tregut të barnave për vitin 2017. Nga kjo vlerë financiare e tregut të medikamenteve gjysma janë blerë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili kishte një fond për rimbursimin e medikamenteve në vlerën e 10 miliardë lekë.
Krahasuar me vendet e tjera të BE-së vendi ynë ka një treg të vogël sa i përket vlerës së tregtimit të medikamenteve , por pavarësisht kësaj, qeveria ka ulur marzhin e fitimit për farmacitë.
Në vitin 2014 në vendin tonë ka hyrë në fuqi heqja e TVSH-së 10% për medikamentet e cila u reflektua në uljen e çmimit të tyre. Referuar volumit financiar të medikamenteve për vitin që lamë pas, ku u importuan mbi 22.7 miliard lekë barna, kemi përjashtim të TVSH-së në vlerën e 4.5 miliardë lekë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.