Tregu i punës në Gjermani – Vendet e lira arrijnë nivel rekord në fund të vitit 2017
Vendet e lira të punës në Gjermani kanë shënuar nivel rekord të lartë në tremujorin e fundit 2017, duke vënë në dukje fuqizimin e tregut që pritet të nxisë pagat dhe rritjen ekonomike të mbështetur te konsumi në ekonominë më të madhe të Europës.
Pozicionet e reja janë rritur me 85 mijë nga tremujori i tretë dhe me 128 mijë nga e njejta periudhë e një viti më parë, duke arritur një total prej 1.18 milionë në tremujorin e katërt 2017, sipas një sondazhi të Zyrës Federale të Punës.
Analistët thonë se kërkesa për staf të ri ka patur rritjen më të madhe në manifakturë dhe ndërtim.
Një indeks që mat raportin mes papunësisë dhe vendeve të lira të punës ra në 2 pikë, që është nivel rekord i ulët.
Rimëkëmbja e fortë ekonomike, së bashku me mungesën e personave në moshë pune, kanë bërë që firmat gjermane të shtojnë përpjekjet në tërheqjen e punëtorëve të rinj krahasuar me firmat amerikane, franceze, italiane apo Britanike.
Për t’i bërë ballë mungesës së aftësive, kompanitë gjermane kanë projektuar gjithashtu skema të trajnimit për punëtorët që vijnë nga vende të tjera Europiane ku papunësia te të rinjtë është e lartë, përfshirë Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Spanjën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.