Trump kritikon publikisht May – “Planet e saj për Brexit kanë dështuar, s’ka marrëveshje me SHBA”
Presidenti Donald Trump ka kritikuar në mënyrë direkte Kryeministren britanike Theresa May për strategjinë e saj për Brexit, duke thënë se ka reduktuar mundësitë e një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe se ajo nuk ka marrë në konsideratë këshillat e tij për mënyrën se si të negociojë me Bashkimin Europian.
Në një intervistë të publikuar përpara takimit me Theresa May dhe Mbretëreshën, Trump kritikoi rezultatet e dobëta të negociatave për Brexit. “Nëse ata bëjnë këto lloj marrëveshjesh, ne do t’i drejtohemi Bashkimit Europian dhe jo Britanisë”, tha Trump për të përditshmen The Sun.
“Unë do të veproja ndryshe. I kam thënë Theresa May për mënyrën se si të negociojë, por nuk më ka dëgjuar”, tha Trump.
Pas një jave të vështirë për May, ku Sekretari i saj për Brexit David Davis dhe Ministri i Jashtëm Boris Johnson dhanë dorëheqjen, Trump vlerësoi Johnson duke thënë se do të ishte një kryeministër perfekt. Një kritikë kaq e hapur nga një president i Shteteve të Bashkuara, e vë Theresa May në pozitë përpara partisë së saj, vendit dhe në të gjithë botën.
Sterlina ra me 0.5% në nivelin më të ulët në 2 javë prej 1.31 dollarë. Zëdhënësi i May tha se Kryeministrja po pret të bisedojë me Trump për qasjen në negociata. Ndërkohë që Britania po përgatitet të dalë nga Bashkimi Europian në 29 Mars të vitit të ardhshëm, mbështetësit e Brexit kanë forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Shumë politikanë e kanë cilësuar planin e Theresa May si një tradhëti, përfshirë ligjvënësit në partinë e saj Konservatore.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.