Trump ndërron mendje – Samiti i 12 qershorit me Korenë e Veriut do të mbahet
Donald Trump ka bërë sërish një prapa kthehu sa i përket takimit me liderin koreano verior, që pritet të mbahet më 12 Qershor në Singapor. Presidenti amerikan ka ndërruar mendje për të disatën herë në lidhje me këtë çështje.
Kjo vjen vetëm 8 ditë pasi në mënyrë të paprecedentë numri një i Shtëpisë së Bardhë anuloi samitin. Tashmë Trump duket më optimist se asnjëherë më parë në drejtim të bisedimeve për paqe me Korenë e Veriut.
Kthesa e madhe vjen pas vizitës së Kim Yong Chol në shtëpinë e bardhë, që është njeriu i dytë më i fuqishëm në Korenë e Veriut. Kim Yong Chol është kështu njeriu më i fuqishëm nga vendi i izoluar që viziton Shtëpinë e Bardhë në 18 vite.
Pas këtij takimi, Donald Trump u shpreh se, pret që të ketë rezultate konkrete nga samiti mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, por pa dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë çështje.
Gjithsesi, ajo që duket se është e pashmangshme në këtë pikë është fakti se, samiti i 12 Qershorit në Singapor do të mbahet. Trump shtoi se, në këtë datë nuk do të firmoset asgjë, vetëm do të nisë një proces i ri.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.