Valë investimesh nëpër maternitete – Manastirliu: Hapet brenda vitit materniteti i Korçës
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi ditën e shtunë punimet në maternitetin e Korçës. Investimi prej 200 milion lekësh pritet të hapë dyert brenda këtij viti.
“Pak ditë më parë dhamë një lajm të mirë për të gjithë familjet që do të gëzohen me fëmijë, çekun e shumëfishuar të bebeve. Bonusi është vetëm njëri element sa i takon programeve tona me fokus nënën dhe fëmijën. Ne po rijetësojmë maternitetet në të gjithë vendin për t’ju dhënë mundësi nënave të marrin shërbim afër vendbanimit”, tha Manastirliu.
Materniteti i ri i Korçës sapo ka përfunduar rikonstruksionin dhe pritet të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë, për të nisur funksionimin brenda këtij viti. Ministrja Manastirliu deklaroi se ky nuk është i vetmi investim në Shtëpitë e Lindjes.
“Po përfundon investimi i rëndësishëm për maternitetin e ri të Sarandës. Vijojmë me investime të munguara ndër vite, në maternitetin e Beratit, të Lezhës, të Kukësit, Matit, Pogradecit, etj., me synim që shërbimi për nënën dhe fëmijën të jetë cilësor dhe afër vendbanimit”, tha Manastirliu.
Materniteti i ri i Korçës do të ketë 45 shtretër, dy salla operacioni, dy salla lindjeje, repartin e Neonatologjisë, Reanimacionit, etj dhe i shërben një popullate prej 270 mijë banorë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.