Vendet më të mira për biznesin, Forbes: Shqipëria e 71-ta në botë, ndër 153 ekonomi
Revista prestigjioze Forbes ka renditur 153 ekonomi të ndryshme të botës në të bërit biznes, dhe i referohet vitit të ardhshëm. Pra, ky indikator shërben si kartolinë për secilën prej këtyre ekonomive për investitorët e huaj.
Shqipëria renditet në vendin e 71-të në botë, e parafundit në rajon, duke qenë se lë pas Bosnje Hercegovinën. Një vit më parë, Shqipëria renditej e 61-ta në botë, por duke qenë se, këtë vit Forbes ka ndryshuar tërësisht metodologjinë e përpilimit të këtij indeksi, krahasimi me vitet e shkuara është i kotë.
Në renditjen e këtij viti, nuk parashikohet performanca e tregut të aksioneve, ndërkohë që është shtuar performanca e tregut të punës, infrastrukturës, cilësisë dhe madhësisë së tregut, kënaqësisë së jetesës, varfërisë, etj.
Praktikisht, Forbes mbledh një sërë indikatorësh, së bashku me ato të Bankës Botërore dhe të Forumit Ekonomik Botëror për të nxjerrë një indikator të përgjithshëm.
E renditur në vendin e 71-të në botë, Shqipëria rezulton e parafundit në rajon, ndërkohë që, Serbia renditet e 69-ta, Mali i Zi i 68-ti dhe Maqedonia e 63-ta. Në vend të parë në nivel global renditet Mbretëria e Bashkuar, e ndjekur nga Zelanda e Re dhe Hollanda.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.