Vjen “Dita e Gjykimit” për Ursula von der Leyen-Si funksionon vota e sotme dhe çfarë mund të ndodhë
Sot është dita e gjykimit për Ursula von der Leyen . Ministrja gjermane e Mbrojtjes, e propozuar si Presidente e Komisionit Europian do të duhet të kalojë votën e Parlamentit në seancën e 16 korrikut.
Parlamenti i mbledhur në Strasburg do të shprehë verdiktin mes data 18-20, pas fjalimit që do të mbajë mëngjesin e sotëm von der Leyen. Nëse Parlamenti i hap rrugë, gruaja politikane gjermane do të mund të kalojë në hapat pasues për zgjedhjen e komisionerëve dhe formimin e ekzekutivit të BE-së.
Në rast të kundërt,sikurse ironizojnë disa në Strasburg, “hidhen në erë pushimet”. Në Këshillin Europian, institucionin që bashkon krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, do të duhet të nisin punën për të zgjedhur një kandidaturë tjetër në pak kohë. Në këtë rast, europarlamenti do të duhet t’i rikthehet votimeve në shtator, pas ndërprerjes verore.
Si funksionon zgjedhja në Parlamenti dhe çfarë mund të ndodhë?
Për t’u zgjedhur Von der Leyen do të ketë nevojë vetëm për 374 vota nga një total prej 747 parlamentarësh duke qenë se mungojnë 3 eurodeputetë që janë përjashtuar dhe danezi Jeppe Kofod, i emëruar si ministër në Copenhagen dhe që pritet të zëvëndësohet.
Nëse nuk arrin t’i marrë këto vota atëhere Këshilli është i detyruar që brenda një muaji të gjejë një kandidat tjetër, duke rinisur të njëjtën procedurë me parlamentin.
Gjithsesi, gjasat janë që von der Leyen të arrijë të marrë miratimin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.