Von der Leyen konfirmon: AstraZeneca do të dorëzojë edhe 9 milion doza shtesë 1 javë më shpejt
AstraZeneca do të dorëzojë nëntë milion doza të tjera të vaksinës COVID-19 në Bashkimin Europian në tremujorin e parë të këtij viti, duke e çuar në 40 milion në total shifrën e vaksinave për periudhën, dhe do të fillojë dorëzimet një javë më herët sesa pritej, tha presidentja e Komisionit Europian të Dielën.
Kompania anglo-suedeze njoftoi papritur në fillim të këtij muaji se do të shkurtojë furnizimet për në BE të kandidatit të saj të vaksinës në tremujorin e parë, duke shkaktuar një grindje rreth furnizimeve.
“AstraZeneca do të japë 9 milion doza shtesë në tremujorin e parë (40 milion në total) krahasuar me ofertën e javës së kaluar dhe do të fillojë dorëzimet një javë më herët sesa ishte planifikuar”, shkroi Ursula Von der Leyen, presidente e Komisionit Europian në Twitter. Kompania do të zgjerojë kapacitetin e saj prodhues në Europë, tha ajo.
Javën e kaluar, kompania kishte ofruar të sillte disa dërgesa në BE. Ajo gjithashtu i kishte ofruar tetë milion doza më shumë Bashkimit Europian për t’u përpjekur për të zbutur mosmarrëveshjen, por një zyrtar i BE i tha Reuters se ishte shumë larg asaj që ishte premtuar fillimisht pasi AstraZeneca ishte zotuar për të paktën 80 milion doza në tremujorin e parë.
Më herët të Dielën, presidentja e Komisionit të BE mbajti një videokonferencë me CEO të kompanive që prodhojnë vaksina dhe paralajmëroi për kërcënimin e varianteve të reja të koronavirusit. “Është thelbësore të përgatitemi për shfaqjen e varianteve të tilla,” tha Von der Leyen në një deklaratë. (Reuters)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.