Wef “zbërthen” sektorët – Mirë tregtia dhe institucionet, keq me investimet dhe infrastrukturën
Raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror mbi manifakturën, në profilin për Shqipërinë ofron të dhëna mjaft interesante sa i përket sektorëve të ndryshëm në vendin tonë, pasi përfshin rreth 80 nën-indikatorë.
Të gjithë këta nën-indikatorë së bashku gjenerojnë indeksin e përgjithshëm, atë që e rendit Shqipërinë të 91-tën në botë ndër 100 ekonomi, sa i përket aftësisë për të prodhuar.
Por, sipas Forumit Ekonomik Botëror, jo çdo gjë shkon keq në ekonominë shqiptare. Një ndër indikatorët që merr vlerësimet me të larta është ai i kapitalit njerëzor, ku me përjashtim të migrimit, thuajse të gjithë nën-indikatorët janë të kënaqshëm. Një tjetër sektor që merr nota pozitive është edhe tregtia.
Në indikatorin që i referohet tregtisë, Shqipëria renditet e 53-ta në botë, kryesisht si rrjedhojë e tarifave tregtare, ku renditet vetëm e 36-ta n botë. Sa i përket investimeve ndërkohë, situata është krejt tjetër, pasi renditet e 91-ta në botë.
Edhe sa i përket infrastrukturës vlen e njëjta gjë, në atë të transportit, e 87-ta, dhe në atë të elektricitetit, e 90-ta.
Çuditërisht, Shqipëria regjistron një performancë të mirë edhe në indikatorët që i referohen qeverisjes, korrupsionit, e sidomos orientimit të qeverisë drejt së ardhmes, e 37 në botë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.