WhatsApp bën gati të nxjerrë Status, opsionin e ngjashëm me Snapchat dhe Instagram
WhatsApp ka vendosur të bëjë një ndryshim rrënjësor, duke e kthyer platformën e mesazheve në diçka të ngjashme me Instagram-in apo Snapchat-in.
Ndryshimi pritet të vijë me përditësimin e ardhshëm të programit dhe ashtu si në Instagram, përdoruesi mund të postojë një status me foto ose video që ta shohin miqtë e tij.
Opsioni i statusit, ndonëse ekziston prej kohësh, ka qenë përdorur shumë pak. Shumica e njerëzve e ndërrojnë statusin rrallë, ose nuk e ndryshojnë që kur e shkarkojnë aplikacionin.
Statusi i WhatsApp-it, që do të nisë nga e hëna, do t’i lejojë përdoruesit të ngarkojnë foto, GIF-e ose video të cilave mund t’u mbivendosin vizatime, emoji dhe titra. Këto statuse do të jenë të dukshme për miqtë në listën e kontakteve për 24 orë, përpara se të zhduken.
Ndonëse duket shumë e ngjashme me Snapchatin në këtë aspekt, nuk është për t’u habitur, pasi edhe Instagram, nën pronësinë e Facebook bëri të njëjtën gjë pak muaj më parë.
Gjithsesi ndryshimi është më i madh për WhatsApp sesa për Instagram pasi mund të ndryshojë tërësisht mënyrën sesi njerëzit e përdorin aplikacionin.
Njëkohësisht, ky ndryshim mund të hapë rrugën për reklamuesit në këtë platformë. WhatsApp është shprehur para një viti se po shqyrtonte mundësinë e futjes së reklamave joshfrytëzuese pa cënuar privatësinë e individëve.
Duke folur për opsionin e ri, një përfaqësues i kompanisë u shpreh se risia bazohet tek kërkesa e përdoruesve për të ndarë materiale me të gjithë njëherazi.
Krijuesi dhe drejtuesi i Facebook, Mark Zuckerberg, ka shpallur vizionin e tij për mediat sociale të fokusuara tek videot. Ky ndryshim në kompaninë e blerë nga Facebook në vitin 2014, duket se reflekton këtë vizion.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.