Zgjerohet kërkimi i naftës – AKBN nxjerr për eksplorim bllokun 5, kontrata me ndarje prodhimi
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur një fushatë promocioni për blloqet e lira të kërkimit të naftës në vend. Bazuar në një urdhër, të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, që mban datën 1 tetor 2018, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka ofruar Bllokun 5 në tokë për eksplorim, duke ftuar të gjitha palët e interesuara të paraqesin ofertat e tyre.
Referuar hartës, ky bllok ndodhet në skajin jugor të vendin, duke u shtrirë nga Konispoli, Saranda, Himara e deri në afërsi në Vlorës. Sipas kritereve të shpallura, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit është deri në 5 vjet, por mund të zgjatet deri në 7 vjet në përputhje me Ligjin e Naftës.
Periudha e eksplorimit do të ndahet në tri faza, ndërkohë që kontrata që do të nënshkruhet mes palëve do të jetë me ndarje prodhimi. Kjo do të thotë se në rastin e zbulimit të naftës, shteti shqiptar do të ketë përfitime financiare që nga nxjerrja e fuçisë së parë.
Në shkurt të këtij viti, një marrëveshje e ngjashme u nënshkrua për bllokun 4 të kërkimit me kompaninë prestigjioze “Shell”, e cila operon edhe në blloqet 2 dhe 3.
Pak kohë më parë, AKBN deklaroi për TV SCAN se deri më tani është ndjekur politika e “derës së hapur”, çka do të thotë se pavarësisht se nuk ishte shpallur ndonjë fushatë e re promocionale, kushdo që kërkonte të investonte në Shqipëri ishte i mirëpritur. Aktualisht, blloqet e lira të kërkimit janë 13, nga të cilat 12 në tokë dhe blloku i Rodonit që ndodhet në det.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.