Zhvillimet në bujqësi – Panariti: Mbështesim zhvillimin e fermave agroturistike
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, vizitoi përgjatë fundjavës një nga fermat më të mëdha bujqësore në vend. Ministri Panariti deklaroi, se ky investim i bërë me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, shndërroi 220 hektarë tokë nga djerrë në sipërfaqe të mbushura me plantacione pemësh dhe kulturash të ndryshme.
Sipas Panaritit, një nga misionet e dikasterit që ai drejton, është mbështetja dhe promovimi i fermave agroturistike.
“I gjithë prodhimi i kësaj ferme, do të jetë pjesë e njëfarë oferte agroturistike, duhet të shkojë drejt standardizimit dhe certifikimit edhe si një fermë bio, për ta kthyer këtë në një fermë elitare të një prodhimi të integruar, të diversifikuar, konkurrues dhe atraktiv për turizmin. Ne jemi ndodhur pranë, do të ndodhemi gjithmonë pranë duke ndihmuar me aq sa kemi mundësi, me fonde të mbështetjes, qoftë në programet e subvencioneve kombëtare, qoftë edhe me subvencionet e Bashkimit Europian”, tha Panariti.
Ndërkohë, sipërmarrësi deklasoi se, janë investuar miliona euro për kultivimin e qershive dhe pemëve të tjera. Ai u shpreh se do të bëhen të gjitha investimet e nevojshme për të qenë një fermë e kompletuar për një ofertë të denjë agroturistike, si dhe për të furnizuar tregjet me produkte të caktuara.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.