Zhvillimi i territorit, Gjiknuri: Projektet e investimit të përputhen me planet vendore
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit organizuan sot forumin me temë “ Planet e përgjithshme vendore, një instrument dhe qasje e re për konsolidimin e reformës territorial”. I pranishëm në këtë forum ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiheksoi se planifikimi është gjëja më e vështirë, por njëkohësisht edhe më e rëndësishme.
“Dinamika njerëzore dhe natyra e zhvillimit që unë do ta quaja shpesh herë spontane, ka bërë që Shqipëria asnjëherë të mos kishte një plan dhe asnjëherë mos t’i qëndronte edhe tyre pak planeve që vetë kishte miratuar. Territori i Republikës së Shqipërisë deri në vitet 2014, ka pasur vetëm 7% të territorit të mbuluar me planifikim, pjesa tjetër ishte pjesë e spontanitetit. Këtë raport e kemi ndryshuar radikalisht këto vite, duke bërë të mundur që me miratimin e planeve të pjesës më të madhe të bashkive, kemi bërë që pjesë më të madhe te territorit të Shqipërisë, rreth 77 % të territorit, e kemi të mbuluar me plane tashmë të qarta zhvillimore dhe që realisht iu takon autoriteteve vendore por edhe qeverisë, për mënyrën si do ndërveprojnë mes tyre në mënyrë që ky zhvillim të jetë me të vërtetë i qëndrueshëm dhe në përputhje më këto instrumente strategjik që kemi miratuar, ndryshe gjithçka që bëjmë do të jetë një dështim” – u shpreh ministri.
Ministri Gjiknuri garantoi krerët e bashkive se do të kenë mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për përfundimin e planeve vendore.
Në vijim Ministri Gjiknuri vuri theksin në zbatimin e planeve të përgjithshme vendore.
“Ky forum duhet të shfrytëzohet të ketë një dimension shumë praktik, çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë duhet të bëjmë? Agjencitë qendrore qeveritare, agjencitë zhvillimore, fondi i zhvillimit, fondi i zhvillimit të rajoneve të gjitha këto duhet se si duhet të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm. Si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe parë nga këndvështrimi i kompetencave dhe ministrisë që drejtoj, një planifikim i integruar i shumë zhvillimeve infrastrukturore duhet të jetë pjesë e kësaj. Dhe ky është avantazhi. Shpesh herë planifikimi i infrastrukturës kombëtare, ndërthuret edhe me planet vendore, apo prek interesat vendore, atëherë ku ka më mirë se të kemi një planifikim të integruar të këtyre interesave.”
Ministri Gjiknuri kërkoi nga kryetarët e bashkive të pranishëm në këtë forum, të thonë se çfarë problemesh kanë hasur me planet në fuqi e çfarë duhet përmirësuar, në mënyrë që kjo gjë të zbatohet siç duhet.
“Pra, instrumenti strategjik të mos ndryshojë, jo t’i përshtatet interesave të ndryshme lokale, apo sa herë ka zgjedhje lokale apo edhe qendrore. Shpesh herë presioni më i madh i instrumenteve strategjikë është populizmi i rastit, interesat e vogla lokale të cilat do të bëjnë presion për të ndryshuar një instrument që është strategjik. Duhet të ketë një pasqyrim që shkon me një kah të zhvillimit të qëndrueshëm dhe me një cikël kohor të pranueshëm, jo sa herë ka një grupim interesi apo sa herë ka një ndryshim rrotacioni në pushtetin vendor të kemi presion për ndryshimin e tyre. Ndryshe ne do të përsërisim gabimet që kanë bërë edhe të tjerët me parë dhe asnjëherë Shqipëria nuk do të ketë një zhvillim të qëndrueshëm.”
Në përfundim, Ministri theksoi edhe rëndësinë e përfshirjes së diasporës në këtë proces, një tjetër iniciativë kjo e qeverisë shqiptare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.