11 mln metër kub gaz kalojnë çdo ditë në Shqipëri – 215 km tubacione në vendin tonë mbulojnë 13% të nevojës së Italisë për metan
Ky vit e ka gjetur gazsjellësin transadriatik (TAP) tërësisht funksional. Pas thuajse 4 vitesh punë, projekti furnizon Europën me gazin azer, duke ulur disi varësinë e Bashkimit Europian nga gazi rus, si dhe duke realizuar një prej objektivave më strategjikë të unionit. Aktualisht, janë miliona metër kub gaz të cilat kalojnë çdo ditë nëpër tubacionet e gazsjellësit në vendin tonë, për të “zbarkuar” më pas në vendin fqinj, Itali.
Sipas të dhënave të cilat përditësohen çdo ditë nga “Snam”, kompania italiane e cila është prezente edhe në Shqipëri duke ofruar mirëmbajtjen e tubacioneve, çdo ditë në Itali transportohen rreth 10 milionë metër kub gaz. Duke parë të dhënat e përditësuara të datës 7 janar, vihet re se janë rreth 11 milionë metrat kub të gazit që parashikohet të transportohet drejt pikës së Melendugnos në Puglia të Italisë.
Kjo sasi gazi kalon nëpërmjet 215 kilometrave tubacion brenda territorit të republikës së Shqipërisë, dhe plotëson rreth 13% të nevojës së shtetit fqinj për gazin metan. Fillimisht, TAP projektohet të transportojë rreth 10 mld metër kub gaz në vit, nga të cilat 8 drejt Italisë dhe nga 1 miliardë për Greqisë dhe Bullgarinë. Shifrat tregojnë se, në momentin aktual, TAP po funksionon vetëm me 1/3 e kapacitetit të projektuar fillimisht.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.