110 fidanë u mbollën sot në Shijak – Klosi: Parqe rekreative në dy fshatra të Shijakut

Gjatë ditës së sotme, Ministri Klosi së bashku me kryebashkiakun Kokomani mbollën 110 në një nga rrugët kryesore të qytetit të Shijakut, duke konkretizuar kështu marrëveshjen e nënshkruar pak kohë më parë midis një biznesi dhe bashkisë Shijak.
Për të inauguruar marrëveshjen, ministri Klosi, kryetari i bashkisë Shijak së bashku me deputetin e zonës Ilir Ndraxhi dhe të rinjtë e gjimnazit, mbollën 110 fidanë kumbulle që prej sot do të gjelbërojnë një nga rrugët kryesore pranë sheshit të qytetit.
“Projekti do të vazhdojë në çdo cep të qytetit për të shtuar gjelbërimin. Po ashtu me bashkinë po shikojmë mundësinë për të krijuar disa parqe rekreative edhe në kuadër të projektit tonë të 100 fshatrave, ku 2 nga fshatrat e Shijakut, janë zgjedhur si fshatra pilot për bukuritë natyrore që ofrojnë dhe për mundësitë e shkëlqyera që kanë për agroturizëm”, tha ministri Klosi.
Ai gjithashtu shtoi se sëbashku me kryebashkiakun Kokomani është duke hartuar një plan për përfshirjen e të gjithë komunitetit të Shijakut, në datën 23 dhe 24 shkurt, në Ditët e Pemëve.
“Bashkë me kryetarin e bashkisë bëjmë thirrje sot për masivizimin e datës 23 dhe 24 shkurt që kushdo që ka dëshirë të dalë e të mbjellë një pemë. Pemët i dedikohen natyrës, i dedikohen familjes, fëmijëve që kanë në emigracion, njerëzve që kemi humbur në jetë e për t’i kujtuar”, tha ai.
Kryebashkiaku Ardian Kokomani bëri me dije se aksioni i mbjelljes së pemëve do të vijojë edhe në 3 rrugë të tjera të qytetit ku do të mbillen 200 fidanë bliri dhe rrapi, kontribut i ministrisë të Turizmit dhe Mjedisit.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.