12 mijë persona të strehuar prej të cilëve 6500 në çadra – Braçe: Shtesat mbi pallatet e para ’90 rrezikojnë godinat, tani fokusi në zonat rurale
Mbledhja e shtatë e jashtëzakonshme e zhvilluar mëngjesin e sotëm është drejtuar nga zv/kryeministri Erion Braçe, në mungesë të kryeministrit i cili ndodhet në Londër në samitin e NATO-s.
Sipas Braçes për momentin janë dy shqetësimet kryesore, e para ka të bëjë me pallatet e para viteve ’90 dhe e dyta me denoncimet e marra nga disa qytetarë në Tiranë në lidhje me kolonat e garazheve të cilat janë sharruar për të hapur vende, çka përbën një risk tjetër për pallatet e reja.
Sipas tij fokusi për momentin duhet të përqendrohet në zonat rurale meqenëse puna atje me vlerësimin e dëmeve ka mbetur pak mbrapa si dhe për shkak të motit e nisjes së dëborës.
Ministri fuqiplotë për gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit, Bledi Çuçi në mbledhjen e sotme ka bërë një rezyme të situatës, duke deklaruar se janë strehuar deri më tani 12 mijë persona prej të cilëve 6500 janë nëpër çadra.
Sipas tij sot do të përfundojë strehimi i të gjitha familjeve të viktimave të tërmetit tragjik. “Sot përfundon strehimi për të gjitha familjet e prekura me viktima. U bëj thirrje për pak durim banorëve, asnjë banesë nuk do të mbetet pa verifikim. Prioritet tjetër është hartimi i listës së ndërtuesve me dëme, dje 12 pronarë shprehën gatishmëri për rindërtimin e pallateve që nuk kanë marrë goditje në strukturë,” u shpreh ai.
Mbledhje e Jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave
Posted by Edi Rama on Tuesday, December 3, 2019
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.