2020, nuk u verifikua pasuria e deputetëve – ILDKPKI: Kaluam në sitë 762 nëpunës nga 3769 në total, 72 u dërguan në Prokurori e Polici
ILDKPKI ka referuar në drejtim të organeve ligjzbatuese 72 zyrtarë gjatë vitit 2020 për problem me pasurinë, ndërkohë që ka kryer verifikime të thelluara për 762 prej tyre. Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave Evgjeni Bashari ka referuar në Kuvend se referimet janë bërë në drejtim të Prokurorisë, Strukturave të Hetimit Tatimor, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Policisë së Shtetit.
E pyetur për rezultatet e verifikimit të pasurive të deputetëve gjatë vitit 2020, Bashari raportoi se ata nuk i janë nënshtruar këtij procesi, pasi ligji parashikon që kjo të bëhet vetëm një herë në dy vite.
Problem sipas ILDKPKI mbetet implementimi i ligjit për sinjalizuesit, duke parë numrin minimal të denoncimeve që janë bërë nga institucionet e administratës publike.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.