2020, pronarët bum gjyqesh ndaj ATP – Agjencia: 631 padi në total. Sektori juridik ka arritur të ndjekë fizikisht vetëm 265 çështje
Agjencia e Trajtimit të Pronave e ka mbyllur vitin 2020 me një numër record gjyqesh kundër vendimeve të saj për kthim kompensim pronash. Fluks që është I pamundur të ndiqet prej sektorit juridik të vetë Agjencisë.
Scan Televizion ka zbardhur raportimin e Agjencisë mbi situatën e ndjekjes së gjyqeve për vitin 2020, ku theksohet se për pjesën më të madhe të seancave specialistët e saj nuk kanë qenë të pranishëm gjatë gjykimeve, por I kanë ndjekur ato në rrugë shkresore.
“Lidhur me informacionin e kërkuar, Ju informojmë se për periudhën janar- dhjetor të vitit 2020 nga Sek. Përfaqësimit Ligjor janë ndjekur 265 çështje, të cilat janë regjistruar pranë ATP-së në Gjykatat e Rrethit Tiranë, ku përfshihen Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit, Gjykata Administrative e Shkalles së Pare dhe Gjykata Administrative e Apelit. Në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit janë ndjekur çështje që kanë të bëjnë me njohjen e të drejtës së pronësisë, ndërsa në gjykatat administrative janë ndjekur çështje që kanë si objekt vlerësimin e pronës së njohur për kompensim. Referuar të dhënave të raportuara rezulton se fluksi i padive ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë .
Gjithashtu ne këtë sektor gjatë periudhës janar- dhjetor të vitit 2020 janë administruar 631 padi nga të gjitha gjykatat e vendit ku përfaqësuesit e ATP-së pavarësisht se nuk kanë marrë pjesë fizikisht, kanë kryer procedurat në mënyrë shkresore përfshirë ankimet dhe rekurset ku ka qene ë nevojshme.”, shkruhet në raportin zyrtar të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Ndërkohë që është vetë Agjencia ajo që parashikon që fluksi I padive të vijojë në rritje, duke bërë me dije se 6,950 pronarë mund t’i drejtohen gjykatave në vijim pasi kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje nga kjo e fundit.
Ndërkaq, një numër shumë i madh padish të ngritura nga pronarët presin prej vitesh nëpër gjykata, veçanërisht në atë të Lartën. Ndërkohë që sipas parashikimeve, paditë do të vijojnë për shkak të shifrave shumë të larta që pretendojnë pronarët nga shteti. Vetëm Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vlerësuar se se fatura financiare për kompensimin e pronarëve arrin në 101 miliardë lekë, afërisht 1 miliardë dollar, ndërkohë që shoqatat e pronarëve pretendojnë një vlerë rreth 4 herë më të madhe.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.