2021, rriten procedimet në fushën e taksave e tatimeve – Prokuroria: 316 persona të vënë nën hetim, por bien rastet e dërguara në gjykatë

Pas një rënie të dukshme në vitin 2020, veprat penale që lidhen me mospagimin e taksave kanë shënuar rritje gjatë vitit të shkuar. Prokuroria e Përgjithëshme bën me dije se janë nisur gjatë vitit të shkuar 316 procedime për këtë grup veprash penale, me një rritje prej mbi 5% krahasuar me vitin 2020, në një kohë që rezulton në ulje prej 12,15 % numri i procedimeve të dërguara në gjykatë.
Në raportin e saj për këtë vepër penale për vitin e shkuar, Prokuroria evidenton se numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për vepra penale në lidhje me taksat dhe tatimet është në prokuroritë pranë gjykatave së shkallës së parë Tiranë 19 % e numrit total të procedimeve të regjistruara, Berat 13 %, Elbasan 9 % dhe Durrës me 8%.
Nga të dhënat statistikore të vitit 2021 vërehet tendenca në rritje prej 37,5 % e numrit të procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal “Fshehja e të ardhurave” në krahasim me vitin 2020. Në të kundërt, për veprën penale të parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”, rezulton një rënie prej rreth 48,89 % krahasuar me procedimet e regjistruara në vitin 2020.
Për këtë grup veprash, në kërkesat lidhur me llojin e masën e dënimit, të kërkuar nga prokurori, rezulton se në 77,23 % të të pandehurve është kërkuar dënim me burg dhe në 22,77% dënim me gjobë, ndërkohë që janë kërkuar 2 pushim çështje dhe 2 kërkesa për tërheqje aktesh.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.