“31% e energjisë së konsumuar, u importua” – ERE: 2020-a, ndër vitet me importin më të lartë. Prodhimi, 10% më pak se mesatarja 11-vjeçare
Pasi u diskutua dhe mori dakordësinë në Parlament, Raporti Vjetor i Entit Rregullator të Energjisë është publikuar në Fletoren Zyrtare, teksa paraqet të dhënat mbi tregun e energjisë eletkrike përgjatë vitit 2020. Referuar dokumentit, viti i kaluar mund të konsiderohet jo i mirë në drejtim të prodhimit, çka më pas pasohet edhe me shpenzime të larta për blerjen e energjisë elektrike. Kjo pasi, sipas ERE-s gjatë vitit 2020 u prodhua 10% energji më pak sesa mesatarja vjetore e 11 viteve të fundit.
Në raportin saktësohet se kjo situatë erdhi si pasojë e thatësirës, teksa ulja e prodhimit solli realizimin e një importi të konsiderueshëm të energjisë elektrike për mbulimin e kërkesës dhe furnizimin e pa ndërprerë të klientëve në vend. Në total u importua 2,275 GWh, që është rreth 31% të vlerës totale të konsumit, çka sipas ERE-s e kthen 2020-ë një ndër vitet me importin më të madh të energjisë elektrike gjatë dhjetë vjeçarit të fundit. ERE e konsideron 2020-ën si një vit jo të mirë, edhe për faktin se prodhimi nuk u rrit, pavarësisht rritjes së kapaciteteve prodhuese.
Kjo pasi, përgjatë vitit 2020 kanë hyrë në prodhim gjithsej 20 centrale prodhuese të energjisë elektrike, me një fuqi të instaluar prej 227.8 MW, të cilët kanë prodhuar rreth 3.44 % të prodhimit total vendas të energjisë elektrike. Prodhimi i energjisë nga Korporata Elektorenergjetike Shqiptare ra me 38% në raport me vitin 2018, teksa pjesa e prodhimit, që realizohet nga prodhuesit e pavarur private të energjisë elektrike, zë një pjesë të konsderueshme në prodhimin vendas.Gjeneruesi publik prodhoi 58% të totalit të energjisë së prodhuar, ndërkohë që 42% u prodhua nga hidrocentralet private dhe koncesionare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.