31 gjoba për akcizën – Strukturat doganore kryejnë 150 kontrolle në gusht
Vetëm gjatë muajt gusht, strukturat përkatëse të Doganës Shqiptare kanë kryer 150 kontrolle në terren, nga të cilat kanë rezultuar 18 shkelje për produktet e duhanit dhe 13 raste për produktet alkoolike. Ekspertja e akcizës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Ana Gorenca ka bërë publike për Televizionin SCAN të gjitha shkeljet e konstatuara për muajin gusht.
Sipas ekspertes së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, shkelje janë konstatuar edhe në karburante, ku në shumicën e rasteve nuk kanë përqendrimin e duhur të markuesit.
Nga të gjitha shkeljet e konstatuara janë vendosur 22 milionë lekë penalitete, ndërsa 4.5 milionë lekë është vlera e detyrimit të shmangur nga akciza.
Ekspertja e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm sa i përket produkteve që konsumojnë, shprehet se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin. Kryesisht këto kontrolle do të jenë të përqendruara në “zonat e nxehta” që janë kryeqyteti, akset kryesore rrugore dhe zonat ku prodhohet duhan.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.