668 biznese “paguhen” nga shteti – Industria përpunësuese më përfituesja, punësohen mbi 5 mijë persona
Rreth 668 biznese kanë përfituar fonde për nxitjen e punësimit gjatë vitit që lamë pas, nga të cilët 227 janë aplikime të vitit të mëparshëm, dhe 441 janë projekte të reja. Ndërsa janë punësuar, trajnuar përmes punës dhe kanë kryer praktikat profesionale 5264 punëkërkues të papunë nga ky program, me anë të të cilit Shërbimi Kombëtar i Punësimit vuri në dispozicion një fond prej 490 milionë lekësh.
Por si janë shpërndarë fondet? Sipas të dhënave zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, numri më i madhi subjekteve përfituese dhe punonjësve përfitues ka qenë në Tiranë, ku janë mbështetur me fonde 99 subjekte dhe janë punësuar 1370 persona, ndërsa numri më i ulët i bizneseve përfituese regjistrohet në Berat, vetëm 24 subjekte.
Sa i përket fushës ku ato operojnë, pjesa më e madhe e fondeve ka shkuar për industrinë përpunuese, me 27 për qind, e ndjekur nga tregtia me shumicë dhe pakicë si dhe riparim automjetesh dhe motorçiletash me 14 për qind. Ndërsa sektori i arsimit, shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale kanë qenë më pak të mbështetura, përkatësisht me 4 dhe 6 për qind.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.