7.8 mln euro për 5 konvikte, Bregasi: Rindërtim sipas parimit të eficiencës së energjisë, dhoma me 2 shtretër
7.8 milionë euro do të jetë kostoja e rindërtimit të 5 godinave të Qytetit Studenti sipas parimit të eficiencës së energjisë.
Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar shtesën e huasë prej rreth 2 milion euro nga qeveria gjermane, ndonëse mes kritikash për ecurinë e ngadaltë të zbatimit të marrëveshjes së mëparshme prej 4.5 milion euro, e nënshkruar në vitin 2017.
Projekti parashikon një ridimensionim të dhomave në godinat nr.3, 14, 16, 17 dhe 18, duke i ndarë në 3 kategori për 6-8 studentë, 4 studentë dhe 2 studentë. Ndërkohë që, qeveria shqiptare ka marrë përsipër koston e TVSH-së, që kap vlerën e 1.3 milion euro.
Përmes aplikimit të këtyre ndërhyrjeve synohet kursimi i energjisë në masën 30%. Ndërkohë që, do të jetë Bashkia e Tiranës dhe Ndërmarrja e Qytetit Studenti, që do të përcaktojnë nëse do të ketë ndryshim të tarifave për akomodimin në dhomat e rindërtuara.
Përfitues nga aplikimi këtij projekti do të jenë 2000 studentë të Universitetit të Tiranës, që jetojnë në konviktet e Qytetit Studenti. Punimet do të nisin në vitin 2018 dhe do të zgjatin 18-24 muaj.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.