Administrata në testim! Drejtoritë e para që do t’i nënshtrohen provimit, pyetjet
Nis testimi i punonjësve të administratës publike. Departamenti i Administratës Publike ka përcaktuar drejtoritë, inspektoratet dhe entet e para shtetërore, punonjësit e të cilëve do t’i nënshtrohen provimit për testimin e njohurive, sipas pozicionit të punës. Punonjësit që nuk e kalojnë këtë provim, duke mos marrë minimumi 51 pikë, humbasin vendin e punës, shkruan Shqiptarja.com.
Lëvizja vjen pas disa paralajmërimeve radhazi të kryeministrit Edi Rama për nisjen e operacionit kundër analfabetizmit në administratën shtetërore, ndarjen e administratës nga politika, largimin e militantëve të cilët nuk kanë lidhje me vendin e punës dhe rekrutimin e njerëzve të mirëtrajnuar. Testimit, sipas një kalendari kohor, do t’i nënshtrohen punonjësit në të gjithë nivelet e administratës publike, por procesi do të nisë fillimisht me organet me funksione inspektuese.
Provimi i parë do të zhvillohet në datën 9 dhjetor të 2017. Testimi do të shërbejë si një mekanizëm ligjor për të largimin e militantëve nga zyrat e shtetit, gjithnjë nëse nuk marrin pikët e mjaftueshme në provim.
“Bazuar në ligjin nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar dhe në Vendimin nr. 1037, datë 16/12/2015 të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e vlerësimit të nëpunësve civilë, për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë”, Departamenti i Administratës Publike do të fillojë testimin për të vlerësuar përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, për nëpunësit civilë në të gjithë strukturat me funksione inspektimi, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil. Testimi për vlerësimin periodik për fitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë do të bazohet në njohuritë mbi ndryshimet e ndodhura në legjislacionin e fushës së inspektimit”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Administratës Publike.
Drejtoritë e para
Punonjësit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe të drejtorive të bujqësisë do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen testimit me shkrim për përditësimin e njohurive. Dy drejtoritë, kaq të jetike për nga rëndësia, janë lakuar shpesh për prezencën e madhe dhe të pamerituar të militantëve partiakë.
Më datën 9 dhjetor do të testohen gjithashtu edhe punonjësit e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dhe Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. Ankthit të provimit nuk do t’i shpëtojnë as punonjësit e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Inspektoratit Shtetëror të Ujërave, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës.
Pyetjet
Testi për punonjësit e drejtorive të mësipërme do të përmbajë pyetje teorike dhe ushtrime praktike. Testimi do të realizohet duke mbajtur në konsideratë fushën/drejtimin specifik të veprimtarisë inspektuese sipas përshkrimeve të secilit prej grupeve të inspektorëve. Më konkretisht, pyetjet do të ndërtohen duke u bazuar në vendimet, udhëzimet dhe ligjet në fuqi rreth veprimtarisë së punonjësve të drejtorive të përcaktuara. Për të parë drejtoritë që do testohen lexoni artikullin e plotë këtu.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.