Aeroporti i Vlorës – 100 mln euro investim, Kuvendi jep miratimin për hapjen e negociatave

Komisioni parlamentar i veprimtarisë prodhuese jep autorizimin për hapjen e negociatave të qeverisë me kompanitë ofertuese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Në fjalën e tij në komision ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, theksoi seriozitetin e kompanive dhe korrektësinë e kontratës që pritet të lidhet.
Gjiknuri shtoi se ndërtimi i këtij aeroporti është financim privat me vlerë 100 milionë euro duke shtuar se është domosdoshmëri e tregut dhe përpos kësaj pritet të hap 1000 vende të reja pune.
“Aeroporti do të sjellë një potencial shumë të madh zhvillimi, jo vetëm për zonën e Novoselës, por edhe për bashkinë e Vlorës, bashkinë e Fierit sepse ne e dimë që krijohet një zinxhir vlere ekonomike rreth aeroportit dhe cila është e matshme. Do të krijojë vende pune, jo vetëm në fazën ndërtimore, por jam i bindur që një aeroport i këtyre përmasave, që mendohet një investim rreth 100 milionë euro, do të ketë në mënyrë permanente në këtë zonë rreth 1 mijë vende të reja pune”.
Gjiknuri shtoi se pavarësisht se investimi do të bëhet nga private ka implikime financiare siç janë shpronësimet por qeveria është e gatshme të marr përsipër riskun fiskal për një vepër e cila do ti jap shumë ekonomisë shqiptare.
“Ne në këtë projekt do të marrim përsipër një risk minimal fiskal si çdo projekt tjetër koncesionar. Pra çdo projekt në infrastrukturë ka risk, por në rastin konkret riskut do të jetë minimal, investimi është tërësisht privat”.
Ditën e enjte pritet që parlamenti ti hap rrugën përfundimisht ndërtimit të Aeroportit të Vlorës i cili parashikohet të jetë në zonën e Akërnisë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.