Agjencitë turistike – Vathi: Greqia dhe Turqia, kërkesa në rritje deri 30%
Agjencitë turistike në Shqipëri kanë shënuar këtë vit një rritje 20-30 për qind të shitjes së paketave drejt Turqisë dhe Greqisë.
Ekspertët e këtij tregu shprehen se kjo rritje e numrit të turistëve ka ardhur për shkak të ofertave më të mira dhe ofrimi i hoteleve me çmime më të ulëta .
Besnik Vathi nënkryetar i unionit të operatorëve turistik shprehet për televizionin SCAN se nga viti në vit numri i shqiptarëve që kërkojnë të udhëtojnë jashtë vendi ka qenë në rritje ndërkohë që këtë vit janë ofruar edhe destinacione të reja si Costa Brava dhe Malta.
“Drejt Turqisë shkojnë 25-30 për qind e shqiptarëve më shumë dhe drejt Greqisë ku shifrat shkojnë 30 për qind, pra bëhet fjalë për një rritje të numrit.. Dy destinacione që grumbullojnë një numër të madh pushuesish shqiptarë, dhe që kanë të ardhura më të larta janë Turqia dhe Greqia. Për të ardhurat numri 1 e mban Turqia ndërkohë që për sa i përket numrit të turistëve, numrin 1 e mban Greqia. Këtë vit janë ofruar dhe destinacione të tjera, si Costa Brava, Malta. Numri i turistëve ka qenë më i lartë si pasojë e ofertave me buxhete të ulëta në Turqi dhe në Greqi”.
Karakteristikë e viteve të fundit, sipas Vathit, ka qenë kohëzgjatja e qëndrimit të pushuesve e cila është reduktuar nga 2 javë qëndrimi në 7 ditë .
“Bëhet fjalë që nëse shumë vite më përpara kanë qenë 2 javore dhe 10 ditore, vitet e fundit predominonte 7 ditorja. Këtë vit në Turqi kanë dominuar pushimet 6 ditore. Ndërsa në destinacionet e tjera, brenda javës ka pasur 2 dërgesa, tre ditore, 4 ditore dhe shtatë ditore”.
Sipas Vathit, këtë vit çmimet më të favorshme i kishte Greqia, si një ndër destinacionet më të përzgjedhura, e pasuar nga Turqia si vendi dytë më i përzgjedhur për të pushuar nga shqiptarët.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.