Ahmetaj: Rruga Kashar-Rrogozhinë, investim kyç për zhvillimin e zonës. 15-20 minuta nga Tirana
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ishte në Rrogozhinë e Kavajë për të zhvilluar dy takime në kuadër të turit të llogaridhënies publike. Gjatë ndalesës në njësinë Lekaj të Bashkisë Rrogozhinë, Ahmetaj foli për projektet e investimeve të parashikuara për zonën.
“Dua të ndaj me ju ato që do të jenë të paktën katër investime shumë serioze nga qeveria që fillojnë që këtë vit. Ne kemi mbyllur projektin e Vilë Bashtovë- Greth i Mesëm- Spille. Pra, rruga që na bashkon me plazhin, që fillon këtë vit të investohet dhe së dyti është investimi në urbanizimin e njësisë administrative Gosë, për të lidhur lagjen e sipërme me qendrën e njësisë administrative.
Janë dy investime shumë serioze në arsim dhe në shëndetësi. Para fushatës unë i premtova mësuesve, pa dallim politik, që gjimnazi do të rikonstruktohet menjëherë brenda vitit të parë të mandatit. Do të bëjmë një gjimnaz shembull këtu në Rrogozhinë. Gjithashtu, kemi edhe dy qendra, për t’i rikonstruktuar, në mënyrë që të përmirësojmë edhe shërbimin shëndetësor.
Ajo që gjithashtu do bëjë një diferencë shumë të madhe për zonën, është ai premtim që e kemi bërë para fushatës, që është rruga Kashar-Rrogozhinë, që e bën zonën e Rrogozhinës si lagje të kryeytetit që të arrihet në 15 e maksimumi 20 minuta”, tha Ahmetaj.
Sipas ministrit, përmirësimi i infrastrukturës në rrugë, ujësjellësa, infrastrukturë të bujqësisë dhe turizëm, i japin zonës një mundësi ekonomike, në mënyrë që të rinjtë të mos i referohen vetëm punës në shtet. Ahmetaj tha se janë 18 mijë vende të lira pune në të gjithë Shqipërinë dhe i nxiti të rinjtë të të fokusohen tek puna private dhe tek puna e bazuar tek profesionet.
Ndërsa në ndalesën në Synej të Kavajës, Ahmetaj u ndal tek taksat, duke thënë se ato janë ulur për pjesën më të madhe të bizneseve të vogla dhe familjeve shqiptare. Sipas ministrit, nëse të gjithë paguajmë taksa, atëherë rritet mundësia për uljen e tyre.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.