Aksioni i fundjavës në rrugët e Tiranës – Policia procedon penalisht 20 persona, pezullohen 73 patenta
Policia Shtetit në raportin e fundjavës që lamë pas tha se Policia Rrugore e Tiranës ka organizuar shërbime të shtuara në patrullim me përzgjedhje, në funksion të parandalimit të ngjarjeve rrugore që vijnë, kryesisht si pasojë e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, me shpejtësi mbi normat e lejuara etj.
Sipas njoftimit, nga verifikimet e kryera në sajë të përdorimit të pajisjeve speciale, si radari dhe alkoolmatësi, janë evidentuar dhe proceduar penalisht: 20 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, nga të cilët 14 në gjendje të dehur dhe 6 të pa pajisur me leje drejtimi dhe pezulluar 73 leje drejtimi, nga të cilat 32 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 21 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 20 për shkelje të tjera të ndryshme.
Gjithashtu, janë proceduar administrativisht 15 drejtues mjetesh për mos rregullim shpejtësie në qendrat e banuara dhe gara me shpejtësi, janë proceduar administrativisht 17 drejtues mjetesh për xhama të errësuar dhe ndaluar administrativisht 35 mjete për detyrime administrative të pashlyera.
Policia Shtetit tha se janë vendosur 3050 masa të tjera administrative, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, ku një numër i konsiderueshëm i masave administrative janë si rezultat i denoncimeve nga qytetarët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.