Aksioni në zonat turistike, Vjero: Mbyllje aktiviteti 30 ditë për shkelësit
Bizneset në zonat turistike që shkelin ligjin, duke fshehur të ardhurat apo duke mos deklaruar punonjësit, rrezikojnë mbyllje të aktivitetit për një periudhë 30 ditore në kulmin e sezonit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, ka theksuar se administratat tatimore do të ketë zero tolerancë ndaj subjekteve që zhvillojnë aktivitet në kundërshtim me ligjin.
Vjero bëri me dije se për bizneset e rregullta do të ketë reduktim kontrollesh, ndërsa për ato që ka të dhëna se janë problematike, do të ketë shtim të kontrolleve.
Nga ana tjetër, Vjero u ka bërë apel qytetarëve që të mos pranojnë të paguajnë nëse nuk marrin kuponin tatimor dhe të denoncojnë pranë administratës tatimore rastet abuzive.
Ditën e Shtunë strukturat e Zbatimit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë nisur verifikimet në terren për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Kontrollet filluan me disa subjekte në zonën e Gjirit të Lalzit, në Durrës, ndërsa bëhet e dije se do të vijohet në të gjitha zonat turistike të vendit ku do të verifikohen më shumë se 20,000 tatimpagues.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.